SHKARKOHEN 4 INSPEKTORË TË AKU-së, 3 PREJ TYRE NGA FIERI, PAS SKANDALIT ME 27 TONË MISH DERRI NGA BRAZILI

Katër inspektorë të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU) janë shkarkuar nga detyra pas skandalit me ngarkesën prej 27 tonësh mish derri të importuar nga Brazili.
Mes tyre është një inspektor me inicialet L.B., i cili shërbente në Pikën e Kalimit Kufitar në Durrës, si dhe tre inspektorë të AKU-së në Fier.
Sipas konstatimeve, katër inspektorët nuk kanë verifikuar dokumentacionin e ngarkesës së kompanisë KING-MIT, nuk kanë evidentuar shkeljet dhe nuk kanë vendosur gjobën përkatëse në raport me shkeljet e konstatuara.
Për marrjen e vendimit për largimin e tyre nga detyra është ngritur një Komision Disiplinor, i cili ka zhvilluar dy seanca dëgjimore.
Ndërkohë, Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar verifikimin e ligjshmërisë së procedurave administrative të ndjekura nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së për importimin dhe inspektimin e kësaj ngarkese.
Verifikimi synon shqyrtimin e plotë të dokumentacionit, veprimeve të kryera dhe përgjegjësive të strukturave të përfshira në këtë rast.




