Shqipëria nyje e rëndësishme e korridorit të gazit në Adriatik, lidhja e TAP-IAP parashikohet në Fier

Shqipëria synon të marrë një rol të rëndësishëm në zgjerimin e korridorit energjetik Adriatiko-Jonian, në kuadër të nismës amerikane “Trump Peace Pipelines Framework”, e cila synon zhvillimin e infrastrukturës së gazsjellësve dhe rritjen e furnizimit të Evropës me gaz natyror të lëngshëm nga SHBA-ja.
Në këtë projekt, vendi ynë parashikohet të shërbejë si një pikë e rëndësishme lidhëse mes gazsjellësit TAP, që transporton gaz nga Azerbajxhani drejt Italisë përmes territorit shqiptar, dhe gazsjellësit Adriatiko-Jonian (IAP), i cili synon të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kroacinë.
Sipas projektit, pikërisht në Fier parashikohet të realizohet lidhja e gazsjellësit IAP me TAP-in. Segmenti shqiptar i IAP-it pritet të ketë një gjatësi prej rreth 170 kilometrash dhe kapacitet transportues deri në 5 miliardë metër kub gaz në vit.
Realizimi i këtij projekti mund t’i japë Shqipërisë një peshë më të madhe në hartën energjetike të rajonit, duke e kthyer në një korridor furnizimi që lidh hapësirën e Adriatikut me Evropën Qendrore. Përveç rëndësisë gjeostrategjike, infrastruktura e re krijon mundësi për të ardhura nga tranziti i gazit, investime në gazsjellës, terminale LNG dhe centrale elektrike.
Një tjetër përfitim i mundshëm lidhet me sigurinë energjetike. Gazi natyror mund të shërbejë si alternativë në periudhat kur prodhimi vendas i energjisë nga hidrocentralet është i ulët, si dhe të krijojë mundësi të reja furnizimi për sektorin industrial.
Por çfarë është nisma amerikane “Trump Peace Pipelines Framework”?
Bëhet fjalë për një nismë të administratës së Presidentit Donald Trump, e shpallur më 28 prill 2026 në Dubrovnik të Kroacisë, e cila synon zgjerimin e infrastrukturës së gazsjellësve në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke rritur furnizimin me gaz natyror të lëngshëm amerikan.
Objektivat kryesore të kësaj nisme janë ulja e varësisë së vendeve evropiane nga gazi rus, rritja e importeve të LNG-së amerikane, ndërtimi dhe zgjerimi i gazsjellësve, terminaleve të gazit të lëngshëm dhe lidhjeve ndërkufitare, si dhe krijimi i alternativave të furnizimit në rast krizash gjeopolitike.
Nisma përfshin kryesisht Evropën Qendrore dhe Lindore, rajonin e Adriatikut, Baltikut dhe Detit të Zi.




