“Spiropali dhe Veliaj po godasin PS”/ Meçe: Hetimet për Elisën, që në tetor. Rama nuk ra në kurthin e kryebashkiakut

Analisti Arben Meçe thotë se Elisa Spiropali dhe Erion Veliaj, tanimë janë pozicionuar dhe po godasin Partinë Socialiste.
Në një intervistë për “Edicioni Qendror” në ABC News, Meçe u shpreh se kryebashkiaku i Tiranës, kërkonte të tërhiqte kryeministrin Edi Rama në fushë betejën e tij, por kreu i qeverisë nuk ra në kurthin e tij.
Sipas Meçes, Veliaj ndoqi strategji të gabuar. Për ish ministren e Jashtme, Elisa Spiropali, Meçe deklaroi se që në tetor, ndaj saj kishte nisur hetim, ndaj dha ajo e dinte fundin e saj politik.
“Gjërat janë bërë evidente. Erion Veliaj, në kuadër të strategjisë, ka tentuar të tërheqë Ramën në fushëbetejën e vet. Strategjia e Erion Veliajt është e kësaj natyre. Pritej momenti i përjashtimit, ku do të ishte gabim strategjik i Ramës, nëse do të binte në kurthin e Veliajt. Rama e njeh mirë këtë proces. Në asamblenë që sapo kaloi, kjo kartë u dogj. Kemi një akt i cili zbuloi disa skenarë, që praktikisht përfaqësonin elementë të rinj, si skenari i Elisa Spiropalit, ku demonstroi disa qëndrime, sulm të hapur dhe agresivitet. Në mënyrë të posaçme, ajo artikulon faktin që sot Shqipërinë e drejton Belinda Balluku dhe jo Edi Rama. E çuditshme ishte letra e së nesërmes së Veliajt, i cili ndërton kauzën e vet, ku i drejtohet Belinda Ballukut dhe shprehet qartazi që tashmë në Shqipëri nuk po drejton Edi Rama, por Belinda Balluku. Media ka bërë publik faktin se Spiropali dhe familjarët e saj janë proceduar për korrupsion, pastrim parash. Nuk është çështje e filluar tani, por në tetor. Spiropali e dinte mirë rrugën e vet. Kur vjen fundi politik dhe vendoset para sistemit të drejtësisë, ndihma vjen tek konjuktura politike.
Të gjitha përpjekjet publike vërtetojnë se Veliaj dhe Spiropali nuk janë në atë barrikadë socialiste në betejë. Ata kanë zënë një pozicion dhe po godasin PS. Rama nuk u fut në këtë lojë. Veliaj dhe Spiropali dolën zbuluar. Rama avancoi më tej, që Veliaj tenton që këtë luftë ta çojë edhe në bashki. Erion Veliaj tashmë është një i mbytur që tenton të gjejë fije bari për të shpëtuar. Strategjia e tij për të afruar Ramën dhe për ta dërguar çështjen në Strasburg dështoi. Veliaj nuk është personi i cili ka fituar zgjedhjet si individ, ishte i emëruar i PS. Po përdor instrumentin e presionit mbi bashkinë, të prishë punë në bashki, që të imponojë Edi Ramën. Erion Veliaj po përdor kartat e fundit, që të sigurojë aleancë mbështetëse të Ramës, për të kapërcyer këtë problem që ka. Natyrisht, Edi Rama nuk bie në këtë kurth. Veliaj, duke qenë jashtë realitetit, i operon fantazia dhe jo ndërgjegjja”, theksoi ai./abcnews.al




