TË SHTËNA ME ARMË ZJARRI NË ROSKOVEC, ARRESTOHET 37-VJEÇARI QË QËLLOI PARA BANESËS SË ISH-BASHKËJETUESES
Një 37-vjeçar është arrestuar nga Policia në Roskovec, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri para banesës së ish-bashkëjetueses së tij, në fshatin Luar.
Ngjarja u bë e ditur pas njoftimit për të shtëna me armë zjarri, çka vuri në lëvizje shërbimet e Stacionit të Policisë Roskovec, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier.
Pas veprimeve të shpejta hetimore, policia identifikoi dhe arrestoi shtetasin me inicialet B. M., 37 vjeç, banues në Roskovec.
Sipas hetimeve paraprake, 37-vjeçari dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri për motive të dobëta, përpara banesës ku jetonte ish-bashkëjetuesja e tij.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.




