Zgjerimi i BE-së përballet me momentin e së vërtetës, Shqipëria dhe Mali i Zi pranë anëtarësimit

Rrjeti mediatik ndërkombëtar Euronews i ka kushtuar një vëmendje të veçantë procesit të integrimit evropian, duke nëvizuar se Bashkimi Evropian po hyn në një moment vendimtar sa i përket politikës së tij të zgjerimit. Sipas analizës, bllokut i duhet të balancojë përparimin e vendeve kandidate me reformat e brendshme strukturore, të nevojshme për të funksionuar si një union më i madh dhe më kompleks.
Në muajt në vijim, Mali i Zi dhe Shqipëria konsiderohen si kandidatët më të avancuar dhe më afër vijës së finishit për anëtarësim. Paralelisht, Ukraina dhe Moldavia po përparojnë me hapa të shpejtë drejt shkëputjes përfundimtare nga orbita e ndikimit rus, ndërsa Islanda po shqyrton mundësinë e rikthimit në negociata përmes një referendumi popullor.
Zyrtarët evropianë bëjnë me dije se përgjatë gjashtë muajve të fundit janë mbyllur më shumë kapituj negociues sesa gjatë të gjithë dekadës së kaluar. Për Brukselin, zgjerimi nuk shihet më thjesht si një procedurë burokratike, por si një mjet gjeopolitik me rëndësi strategjike për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në fqinjësinë e tij direkte.
Ekuilibri gjeografik dhe dilema e Serbisë
Lidhur me ekuilibrat e brendshëm, shkrimi kujton se zgjerimi i madh i vitit 2004 (“Big Bang”), ku u anëtarësuan 10 shtete nga Evropa Qendrore dhe Lindore, ka lënë një trajtë në kujtesën politike të kryeqyteteve perëndimore, të cilat i druhen zhvendosjes së qendrës së gravitetit të BE-së më tej në lindje.
Ndërsa Mali i Zi dhe Shqipëria nuk e ndryshojnë këtë baraspeshë për shkak të peshës së tyre modeste ekonomike dhe demografike, ecuria e tyre hap diskutimin mbi Serbinë. Grupi i shteteve i njohur si “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” kërkon që procesi i bazuar në meritë të zbatohet pa dallime, ndërsa presioni për të ecur përpara me Ukrainën dhe Moldavinë mund ta bëjë përparimin e Kievit të kushtëzuar nga ecuria e Beogradit.
Nga ana tjetër, Ukraina mbetet “elefanti në dhomë”. Për shkak të sipërfaqes, popullsisë dhe kapaciteteve ushtarake, anëtarësimi i mundshëm i Kievit do të ndryshonte përfundimisht peshën politike dhe mekanizmat vendimmarrës brenda bllokut.
“Ukraina mbetet shteti që për shkak të përmasave dhe kapaciteteve do të ndryshonte përfundimisht peshën politike dhe mekanizmat vendimmarrës brenda bllokut,” thekson Euronews.
Reformat e brendshme, heqja e vetos dhe riorganizimi i Komisionit
Më 30 shtator, Komisioni Evropian i drejtuar nga Ursula von der Leyen pritet të publikujë rishikimin strategjik të politikave të zgjerimit – një plan se si duhet të funksionojë një BE me 30 ose më shumë shtete anëtare.
Ndër reformat kryesore që po diskutohen përfshihen:
Heqja e rregullit të unanimitetit, zëvendësimi i tij me shumicë të kualifikuar në çështjet e politikës së jashtme dhe mbrojtjes, për të shmangur paralizimin e vendimeve nga vetot e vetme (siç ka ndodhur me Hungarinë).
Integrimi gradual, ofrimi i përfitimeve ekonomike dhe hyrja në tregun e përbashkët për vendet kandidate përpara anëtarësimit të plotë.
Ndryshimi i strukturës së Komisionit, mundësia e heqjes së parimit që çdo shtet anëtar të ketë automatikisht një Komisioner, një ide që has rezistencë te vendet e vogla.
Pavarësisht nevojës për këto ndryshime, skeptikët paralajmërojnë se zgjedhjet e ardhshme në vende kyçe si Franca – ku e djathta ekstreme euroskeptike po konsolidon pozitat – mund ta ndërlikojnë më tej procesin e reformave.
Pengesa e ratifikimit në parlamentet kombëtare
Sfida përfundimtare për vendet kandidate mbetet procesi i ratifikimit të traktateve të reja të pranimit nga vetë shtetet anëtare, në një kohë kur spektri politik po zhvendoset djathtas në vende si Franca dhe Holanda. Në Francë, për shembull, kushtetuta kërkon që çdo zgjerim i ri t’i nënshtrohet një referendumi kombëtar ose të miratohet me një shumicë prej tre të pestash në Parlament.
“Nëse Mali i Zi nuk ia del, kjo padyshim do ta prishë seriozisht të gjithë procesin. Ne kemi nevojë për një plan shumë të qartë emergjence për t’iu përgjigjur këtij skenari,” paralajmëron Florian Bieber, koordinator i Grupit Këshillimor të Politikave për Ballkanin në Evropë.
Në këtë kuadër, Mali i Zi – e mundësisht edhe Shqipëria – do të shërbejnë si testi i parë real nëse Evropa është vërtet e gatshme t’u hapë dyert anëtarëve të rinj pas më shumë se një dekade bllokimi.




