Aksidenti tragjik në Greqi/ Shqiptari humb gruan dhe djalin 21-vjeçar që po shkonin në punë: “Humba gjithçka…”

Një tragjedi e rëndë ka goditur një familje shqiptare në Greqi, pasi një aksident fatal rrugor i mori jetën një gruaje 43-vjeçare dhe djalit të saj 21-vjeçar, të cilët po shkonin në punë. Bashkëshorti dhe babai i viktimave mbeti brenda pak çastesh pa dy njerëzit më të dashur, ndërsa fjalët e tij mes lotësh kanë prekur opinionin publik.
“Humba si gruan ashtu edhe fëmijën tim. Ata ishin duke shkuar në punë, nuk e di çfarë ndodhi. Humba gjithçka”, tha ai për televizionin publik grek ERT, duke përshkruar dhimbjen e pafund që po përjeton.
Aksidenti ndodhi rreth orës 07:30 të mëngjesit në rrugën provinciale Amfipolis–Drama, pranë zonës së Paleokomit në Serres. Sipas autoriteteve greke, automjeti drejtohej nga 21-vjeçari, ndërsa në sediljen e pasagjerit ndodhej nëna e tij, 43 vjeç. Për shkaqe që mbeten ende nën hetim, makina kaloi papritur në korsinë e kundërt dhe u përplas kokë më kokë me një kamion që po lëvizte në drejtimin e tij. Goditja ishte aq e fortë sa nënë e bir humbën jetën në vendngjarje.
Drejtuesi 56-vjeçar i kamionit, i cili pësoi vetëm lëndime të lehta, rrëfeu momentet dramatike për televizionin Mega.
“Po lëvizja normalisht në korsinë time me rreth 75-80 kilometra në orë. Papritur pashë një makinë që po vinte drejt meje. Kishte humbur kontrollin dhe kishte kaluar në kahun tim. U përpoqa të shmangesha duke lëvizur majtas, por nuk pata kohë”, deklaroi ai.
Një nga provat më të rëndësishme të hetimit pritet të jetë videoja e regjistruar nga kamera e instaluar në kamion. Sipas mediave greke, në momentin e aksidentit shoferi po transmetonte drejtpërdrejt në Facebook përmes kamerës së automjetit, e cila ka fiksuar të gjithë dinamikën e përplasjes. Pamjet tregojnë kamionin duke ecur normalisht në rrugën Amfipolis–Drama, ndërsa automjeti i viktimave kalon vijën ndarëse dhe futet në korsinë e tij, duke e bërë përplasjen të pashmangshme.
Ekspertët do ta analizojnë me kujdes videon, e cila konsiderohet një provë kyçe për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit.
Dy viktimat ishin shtetas shqiptarë që jetonin prej vitesh në zonën e Paleokomit, ku punonin në një biznes lokal. Ata njiheshin nga banorët si njerëz punëtorë dhe të respektuar. Tragjedia ka tronditur komunitetin, ndërsa në rrjetet sociale janë publikuar dhjetëra mesazhe ngushëllimi për familjen.
Ndërkohë, drejtuesi i kamionit u transportua në Spitalin e Dramës, ku mori ndihmën e parë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat që çuan në aksidentin fatal.




