Vapë përvëluese në Shqipëri, temperaturat kapin 41°C! Ja parashikimi i motit për sot

Vala e të nxehtit vijon të mbajë nën ndikim vendin, ndërsa temperaturat gjatë ditës së sotme pritet të arrijnë deri në 41°C.
Sipas parashikimit meteorologjik, dita e shtunë do të karakterizohet nga mot kryesisht i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit. Vranësira të pakta deri mesatare do të shfaqen herë pas here përgjatë zonave malore, kryesisht gjatë orëve të mesditës dhe pasdites.
Në këto zona nuk përjashtohen reshjet e shiut me intensitet të ulët, ndërsa në relievet e larta malore në veri dhe lindje reshjet mund të shoqërohen me shtrëngata të shkurtra.
Era do të fryjë kryesisht nga perëndimi, me shpejtësi mesatare deri në 6 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, herë pas here ajo mund të forcohet deri në 14 m/s.
Ndërkohë, në zonat detare pritet valëzim 1–3 ballë.
Temperaturat e larta do të jenë veçanërisht të ndjeshme gjatë orëve të mesditës, ndërsa ditët e nxehta vijojnë të shoqërojnë vendin gjatë kësaj periudhe vere.




