Sarandë/ Vodhi makinën në parkimin e hotelit, arrestohet 31-vjeçarja pas 30 minutash
Një 31-vjeçare është arrestuar nga Policia e Sarandës, pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet në vendparkimin e një hoteli në lagjen nr. 1 të qytetit.
Ngjarja u zbulua pas kallëzimit të pronarit të automjetit. Pas veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, policia arriti të lokalizojë dhe ndalojë të dyshuarën vetëm 30 minuta pas vjedhjes.
31-vjeçarja, banuese në Sarandë, u kap në afërsi të tunelit të Skërficës, duke drejtuar automjetin e vjedhur.
Sipas policisë, ajo kishte hequr targat e makinës dhe i kishte hedhur në një kazan mbeturinash në dalje të qytetit.
Automjeti dhe targat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa 31-vjeçarja u arrestua në flagrancë për veprën penale “Vjedhja”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




