6 vite nga ndarja nga jeta e aktorit fierak Fatmir Xhelili, artisti që i kushtoi 46 vite skenës

Sot, më 20 nëntor, mbushen gjashtë vite nga ndarja nga jeta e aktorit të njohur fierak Fatmir Xhelili, një prej figurave të spikatura të teatrit dhe humorit në Fier.
Me një karrierë artistike prej 46 vitesh, Xhelili la gjurmë të rëndësishme në jetën kulturore të qytetit, duke u dhuruar publikut qindra interpretime në dramë dhe komedi. Gjatë karrierës së tij ai realizoi rreth 180 role dhe u vlerësua me katër çmime të para si aktori më i mirë.
Ai ishte pjesë e historisë së Teatrit “Bylis”, ku interpretoi përkrah emrave të njohur të skenës shqiptare, si Fuat Boçi, Luftar Paja dhe Hajrie Rondo.
Rrugëtimi i tij artistik u pasurua me role në shfaqje të ndryshme, ndër të cilat “Këpucët angleze”, “Dy dyzina me trëndafila”, “Fejesa” e Çehovit, “Një budalla e gjysmë”, “I burgosuri i katit të 15”, “Pazari”, “Vite të paharruara” dhe “Fqinjët”.
Kontributi i Fatmir Xhelilit u shtri edhe në teatrin e kukullave, duke dëshmuar përkushtimin e tij ndaj artit dhe skenës në të gjitha format e saj.
Gjashtë vite pas largimit nga jeta, aktori vijon të kujtohet me respekt nga kolegët dhe publiku fierak. Ai mbetet një nga emrat që kanë kontribuar në formësimin e traditës teatrale të qytetit, ndërsa interpretimet e tij vazhdojnë të jenë pjesë e kujtesës artistike të Fierit.




