Gjurmë të reja për të zhdukurit e luftës në Kosovë, gjenden mbetje njerëzore në Zubin Potok

Autoritetet ligjzbatuese në Kosovë kanë konfirmuar gjetjen e mbetjeve njerëzore edhe në lokacionin e tretë të dyshuar për varr masiv në komunën e Zubin Potokut.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale bënë të ditur se gjatë veprimeve hetimore që po zhvillohen në këtë zonë është konfirmuar prania e mbetjeve mortore, ndërsa ekipet forenzike vijojnë ekzaminimet dhe procedurat e nevojshme për zbardhjen e rrethanave.
“Gjatë veprimeve hetimore që janë duke u zhvilluar lidhur me rastin në Zubin Potok është identifikuar dhe është konfirmuar prania e mbetjeve mortore edhe në lokacionin e tretë të dyshuar”, thuhet në njoftimin e përbashkët të institucioneve kosovare.
Gërmimet në Zubin Potok kanë nisur pas një hetimi rreth dyvjeçar dhe dyshimeve se në këto zona mund të ketë varreza masive me mbetje të personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. Hetimet lidhen edhe me arrestimin e tre personave të dyshuar për krime lufte.
Ekipet e forenzikës janë duke punuar në tri lokacione, përfshirë fshatrat Kalludër e Vogël dhe Jakubë, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se procesi mund të zgjasë për shkak të terrenit të vështirë dhe shpërndarjes së mundshme të mbetjeve njerëzore.
Institucionet e Kosovës kanë kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ushtrojë presion ndaj Serbisë për bashkëpunim dhe hapjen e arkivave ushtarake, me qëllim zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.
Sipas të dhënave të institucioneve kosovare, rreth 1 mijë e 577 persona vijojnë të rezultojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, shumica prej tyre shqiptarë.
Autoritetet kanë theksuar se është ende herët për të përcaktuar identitetin e viktimave të mundshme dhe se duhet të ruhen procedurat hetimore deri në përfundimin e analizave forenzike.




