Ministria e Mbrojtjes: Stabilizohet situata e zjarreve në vend, nën kontroll edhe vatrat në Mallakastër
Situata e zjarreve në vend është përmirësuar ndjeshëm gjatë ditës së sotme, ndërsa aktualisht nuk raportohet asnjë vatër problematike që të rrezikojë zonat e banuara. Kështu bën me dije Ministria e Mbrojtjes në përditësimin e fundit, duke theksuar se gjatë ditës janë monitoruar gjithsej 9 vatra zjarri në qarqe të ndryshme të vendit.
Sipas ministrisë, falë ndërhyrjes së koordinuar të forcave operacionale nga toka dhe ajri, shumica e vatrave janë shuar ose janë izoluar plotësisht dhe mbahen nën monitorim.
Në qarkun e Fierit, zjarret në Riban, Ngraçan dhe Panahor, në bashkinë Mallakastër, janë izoluar plotësisht në të gjithë perimetrin, ndërsa ekipet vijojnë mbikëqyrjen për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm.
Ndërkohë, në Dajt zjarri është shuar pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe mbështetjes nga helikopteri i Forcës Ajrore, ndërsa në Priskë vatra është fikur plotësisht.
Edhe në Çikallesh të Kavajës situata është vënë nën kontroll, falë ndërhyrjes së zjarrfikësve nga Kavaja, Kamza dhe Rrogozhina, të mbështetur nga avioni “Air Tractor”, i cili bëri të mundur izolimin e plotë të flakëve.
Në Plan të Bardhë të Klosit, ku zjarri ishte favorizuar nga era dhe kishte rrezikuar banesa si edhe rrjetin elektrik, situata është neutralizuar pas angazhimit të forcave zjarrfikëse, Policisë së Shtetit, strukturave vendore, vullnetarëve dhe 25 efektivëve të Forcave të Armatosura.
Ministria njofton gjithashtu se janë shuar plotësisht edhe vatrat në Kostren 2 të Beratit dhe në Uruç të Peqinit, ndërsa në Alikomemaj të Memaliajt është raportuar një vatër në një sipërfaqe me pisha, ku janë angazhuar menjëherë forcat zjarrfikëse.
AKMC dhe të gjitha strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e zonave të prekura dhe mbeten në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme, nëse situata do ta kërkojë.




