Rama: Lajm i mirë! Europa po flet me Rusinë/ Kryeministri: Një përfaqësi e BE dhe Britania, negociata për paqen

Në Koalicionin e Vullnetmirëve për Ukrainën, kryeministri Edi Rama përshëndeti vendimin e Bashkimit Europian për tu ulur në negociata paqeje me Rusinë, me një përfaqësi prej 4 shtetesh anëtare të BE, Francë, Itali Gjermani dhe Poloni, bashkuar këtyre edhe Britania e Bashkuar.
Rama, i cili ka kritikuar më herët qasjen e BE për të mos u ulur më parë në negociata me Rusinë, deklaroi në Berlin, se ky ka qenë gjithmonë një gabim strategjik i Europës.
“Është moment i mirë, mundësi për tu mbledhur këtu në këtë koalicion, per çfarë po ndodh gjithashtu çfarë është vendosur në Dublin për të patur një përfaqësi për të folur dhe komunikuar potencialisht më Rusinë. Mund të them që më në fund ndodhi, që Europa vendosi të ketë një grup që do përfaqësojë Europën në komunikim potencial me Rusinë. Ka qenë një gabim strategjik për të mos ta bërë që në fillim, ose le të themi që në fillim të luftës, që pati disa komunikime dhe më pas gjithçka u ndal. Tani më në fund u rikthye, të shohim se si do të shkojë më tej”, tha ai,
Por ndërkohë që vullnetmirët europianë dhe të tjerë në krah të Ukrainës u mblodhën në Berlin, tre liderët më të mëdhenj të botës, Trump, Putin dhe Xi u ulën në Kinë.
Rama me një ftohtësi diplomatike, tha se nuk ka asnjë ndjesi për atë takim.
“Cilat janë ndjesitë e mia kur shoh Presidentin Putin? Presidenti Xi dhe Presidentin Trump? Pse duhet të kem ndjesi? Jo, ai pyeti për ndjesi”, tha Rama.
Në Berlin, u mblodh koalicioni i vullnetmirëve për Ukrainën, Krijuar në mars 2025, bashkëdrejtuar nga Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, kjo organizatë ka 35 anëtarë, pjesë e së cilës është dhe Shqipëria, dhe synon të ndihmojë ushtarakisht, financiarisht dhe politikisht Ukrainën përballë agresionit rus.




