Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës/ Bllokohet qarkullimi i automjeteve në aksin dytësor, ja orari

Qarkullimi i automjeteve në një pjesë të rrugës dytësore Tiranë-Durrës do të bllokohet përkohësisht gjatë natës së sotme dhe asaj të nesërme, për shkak të punimeve që po kryhen në kuadër të projektit për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës.
Sipas njoftimit, bllokimi do të bëhet për shkak të montimit të trarëve të mbikalimit të Nyjes së Laknasit. Kufizimi do të prekë segmentin nga Mbikalimi i Kamzës deri te Mbikalimi i Kasharit, në krahun e djathtë, në të dyja drejtimet e lëvizjes.
Punimet do të zhvillohen nga data 19 deri më 20 nëntor 2026, në orarin 22:00-05:00.
Për menaxhimin e trafikut do të vendoset sinjalistikë e përkohshme, ndërsa kontraktori ka marrë masat për garantimin e sigurisë në zonën ku do të kryhen punimet.
Drejtuesit e automjeteve këshillohen të planifikojnë paraprakisht lëvizjet e tyre, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e personelit përgjegjës për menaxhimin e trafikut.




