Të shtëna me armë nga një jaht pranë Palasës, Policia vihet në ndjekje të mjetit lundrues
Një incident është raportuar mbrëmjen e sotme në det, përballë Palasës, në bashkinë Himarë, ku dyshohet se nga një jaht janë qëlluar të shtëna me armë zjarri në ajër.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 21:00 është marrë njoftimi për ngjarjen, ndërsa menjëherë shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare janë vënë në ndjekje të jahtit.
Paralelisht, janë angazhuar edhe efektivët e Komisariatit të Policisë Himarë dhe Stacionit të Policisë Dhërmi, të cilët po kryejnë kontrolle nga toka përgjatë vijës bregdetare.
Policia bën me dije se operacioni për lokalizimin dhe ndalimin e mjetit lundrues vijon, me qëllim verifikimin e plotë të informacionit dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes.
Në përfundim të operacionit dhe veprimeve të para hetimore, pritet të jepet një informacion i plotë zyrtar mbi rastin.




